NJËSITË VENDORE ENDE NUK KANË NISUR PËRPILIMIN PËR 2015-ën. Bashkia Shkodër ende nuk ka nisur përpilimin për buxhetin e ri për vitin 2015.
Shkak për këtë siç kanë deklaruar krerët e Bashkisë është reforma e re territoriale e cila sipas tyre nuk dihet ende se si do të funksionojë sa i përket anës financiare. Por sipas programit “Star” që financohet nga komuniteti ndërkombëtar bëhet e ditur se reforma territoriale s’ka lidhje edhe aq shumë me buxhetin e Bashkisë. Deri në zgjedhjet lokale të 2015-ës asgjë nuk ndryshon me njësitë vendore. Pas zgjedhjeve do të veprohet me buxhetin tjetër nga ku do të bëhet shumatorja e buxhetit të njësive përbërëse. Ligji i ri që ende nuk është votuar në Parlament lejon që buxhetet të përllogariten në harkun e 3 muajve, çka do të thotë se nuk bëhet një çelje vjetore si më parë por 3-mujore. Në momentin kur mbarojnë zgjedhjet lokale, granti i 3-mujorit të katërt do jetë shuma e granteve të 11 njësive vendore. Fondi i grantit të kushtëzuar ose fondi i zhvillimit të rajoneve është më i madh se vitet e tjera çka do të thotë se është në duart e qeverisë për të dhënë investime në Bashkitë që do i mbijetojnë reformës. Kjo nuk e pengon Bashkinë Shkodër për të përpiluar buxhetin e saj.. Për këto modalitete që janë akte nënligjore, urdhëra dhe urdhëresa, po punon programi “Star”. Ligji i ri i urbanistikës do të ketë ndryshime sipas reformës territorit dhe kryetarët e komunave do të quhen tashmë drejtues administrativ dhe do të emerohen direkt nga kryetari i Bashkisë përkatëse. Ky është draft ligji që pret të votohet në Parlamentin e Shqipërisë por që nuk pengon Bashkitë e Komunat të përpilojnë buxhetin duke mos krijuar vonesa që nuk i shërbejnë askujt.