Pas kalimit të paketës me ndryshimet kushtetuese, reforma në drejtësi do të vijojë me plotësimin e saj, fillimisht me ligjet kryesore që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Pikërisht për këtë fakt, Kryeministri Edi Rama nuk parashikon një rrugë të lehtë. “Reforma në Drejtësi do të vazhdojë me ligjet kryesore që pasojnë reformën e miratuar kushtetuese dhe kërkojnë minimumi 84 vota. Ata që u dorëzuan përballë presionit të jashtëzakonshëm popullor e ndërkombëtar dhe presionit të brendshëm që krisi murin shurdh të Partisë Demokratike, do të vazhdojnë të rezistojnë në çdo hap e për çdo ligj të domosdoshëm për zbatimin e reformës kushtetuese”, shkruan kryeministri në rrjetet sociale. Megjithatë, Rama thotë se kundërshtarët e reformës nuk kanë asnjë mundësi që “të ndalin historinë e re të drejtësisë që ka nisur me hirin dhe me pahirin konsensual të 21 korrikut”. Sipas Kryeministrit, Shqipëria ka ndryshuar pas votimit në Parlament në sytë e ndërkombëtarëve, jo vetëm politikanëve, por edhe investitorëve. “Shqipëria nuk është më ajo që ishte përpara votimit historik të së enjtes së shkuar; jo vetëm në sytë e Uashingtonit, Berlinit e Brukselit, po edhe në sytë e komunitetit ndërkombëtar të investitorëve, vendi ynë ka fituar një besueshmëri të re”, shkruan ai. “Votimi i 21 korrikut i ka hapur rrugë një reforme shembullore në drejtësi dhe vetingu me mbështetje ndërkombëtare (parashikuar në kushtetutë) i të gjithë gjykatësve e prokurorëve, i cili do të nisë si një operacion rrënjësor pastrimi nga maja e piramides së korruptuar të gjyqësorit, i ka bërë të marrin frymë lirisht investitorët e mëdhenj. Këtë e konfirmoi sot vetë Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim”, mbyll postimin Kryeministri Rama.