Grupimi i deputetëve të Rithemelimit nuk heqin dorë nga skenari i kaosit! Janë ulur në vendet e anëtarëve të komisionit të Reformës Zgjedhore dhe kanë bllokuar sallën.
Sinjalet janë që të mos lejojë mbledhje normale të komisionit të Reformës Zgjedhore
Ndërkohë Blendi Klosi i cili hyri në sallë u largua pasi i ishte bllokuar karrigia.
Pas thuajse dy vitesh, është rimbledhur Komisioni për Reformën Zgjedhore, i cili bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike.
Bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri doli nga salla ku ishte planifikuar të mbahej mbledhja e sotme në orën 11:00. Ai tha se as Oerd Bylykbashi me të cilin Rithemelimi dhe grupi i Bardhit kërkon të zëvendësojë Alibeajn, nuk ka ardhur në mbledhje.
Duke iu referuar bllokimit të mbledhjes nga deptuetët e Rithemelimit, Gjiknuri tha se as Alibeaj nuk ishte lejuar të ishte i pranishëm në sallë. Ndërsa theksoi se do gjendet mënyra që Reforma Zgjedhore të ecë përpara.
“Fatkeqësisht këtu edhe Bylykbashin nuk e kishin sjellë edhe Alibeajn nuk e kishin lejuar të vijë ndoshta për shkak të akteve të tyre vandale. Opozita duhet të jetë e para e interesuar për të pasur një Reformë të tillë. Reforma do ecë përpara, edhe nëse opozita nuk do të bëhet pjesë do të gjendet mënyra për ta çuar përpara”- u shpreh Gjiknuri.