Reforma zgjedhore në dyshim – Moisiu: Ndërkombëtarët të ndihmojnë për reformën zgjedhore
Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i kërkoi ndërkombëtarëve të asistojnë ekspertët shqiptarë të reformës zgjedhore, njëlloj si për proçesin e reformës në drejtësi, për të siguruar një kod zgjedhor me standard. Kryetarja e KQZ, Lefterie Luzi, hodhi dyshime për mundësinë e një reforme zgjedhore për shkak të kohës së pakët të mbetur në dispozicion deri në dekretimin e datës së zgjedhjeve. Në tryezën e organizuar nga forumi civil 2010 morën pjesë edhe aktorë politikë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ish-Presidenti, Alfred Moisiu, kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve për të kryer një reformë zgjedhore, e cila do të garantojë në Shqipëri zgjedhje të standardeve europiane. Në tryezën e organizuar nga forumi civil 2010, ish -Presidenti kërkoi që reforma të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo ekskluzivitet i forcave politike. Moisiu: Reforma zgjedhore, mendojmë ne si forum, nuk mund të jetë monopol thjesht i partive politike por duhet të ketë karakter gjithëpërfshirës.Këta miqtë tanë ndërkombëtarë do të ishte më mirë siç bënë me reformën në drejtësi, të vinë dhe të ulen këtu bashke më ne, me specialistët tanë dhe të bëjmë një kod që të mos i kthehemi më atij kodi. Kreu i KQZ, Lefterie Luzi, tha se përmirësimi i të gjitha problematikave zgjedhore 2 muaj para dekretimit të datës së zgjedhjeve, është gati i pamundur. Luzi: Dekreti i Presidentit del në dhjetor, ne jemi në fillim të tetorit, Komisioni akoma nuk ka filluar punë dhe të mendojmë se të gjithë këto ndryshime të mëdha të kalojnë në një periudhe të shkurtër kohe, sigurisht që ajo që na mbetet neve të dëgjojmë dhe të parashikojmë është që nuk do të ketë reformë zgjedhore. Në diskutimin për problematikën zgjedhore morën pjesë aktorë politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët shprehën shqetësimet për korrupsionin elektoral si dhe mungesën e transparencës në financimin e partive politike.