Bashkimi europian vlerëson “përparimin e qëndrueshëm të bërë nga Shqipëria në trajtimin e 5 përparësive kyce për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit”, ndërsa vë theksin te reforma në Drejtësi e çmon “angazhimin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe përputhshmërinë e saj me politikën e Jashtme dhe të sigurisë së BE-së”.

Këto elementë vihen në dukje në dokumentin e siguruar nga Zëri i Amerikës, lidhur me përfundimet që pritet të miratohen sot nga Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare. Edhe një herë, Bashkimi europian “nënvizon se dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për  reformat që lidhen me Bashkimin europian do të jetë jetik për përparimin e mëtejshme drejt BE-së”. Lidhur me 5 përparësitë kyce Këshilli vlerëson “në vecanti, reformën në administratën publike dhe  përgatitjen e një reforme të plotë të sistemit gjyqësor”, duke inkurajuar Shqipërinë “të vazhdojë përpjekjet e saj”. Në raportin e Progresit të paraqitur muajin e kaluar nga Komisioni europian, përcaktoheshin qartë detyrat e mbetura për plotësimin e të gjithë prioriteteve të identifikuara si kusht për hapjen e bisedimeve. Megjithatë ky hap do të kërkojë kohën e vet, pasi më parë, Komisioni do të duhet që fillimisht t’i rekomandojë vendeve anëtare hapjen e bisedimeve. Këshilli duket se lë hapur mundësinë, sic ka ndodhur dhe në të kaluarën, që nëse këto përparësi përmbushen, t’i drejtohet menjëherë vendeve anëtare.  “Komisioni ftohet të raportojë, përvec Raportit të Progresit për vitin 2016, në mënyrë gjithë përfshirëse dhe të detajuar, mbi përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e 5 përparësive kyce”, theksohet në përfundimet e Këshillit, ku nënvizohet gjithashtu se “duhet të garantohet dhe zbatimi i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës i 5 përparësive”. Në përfundimet mbi Shqipërinë përmendet dhe nevoja për “një legjislacion efikas dhe masa për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat antidiskriminuese”, ndërsa lidhur me ekonominë theksohet se “Shqipëria duhet të vazhdojë reformat e saj ekonomike që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë dhe inkurajon Shqipërinë të vazhdojë të trajtojë  informalitetin e lartë në ekonomi e të përmirësojë klimën e biznesit dhe të investimeve, ku nevojiten përpjekje të mëtejshme”. 

Artikulli paraprakSI E LUFTOI KORRUPSIONIN PASHKO VASA
Artikulli tjetërCANNON: PLOT SHQIPTARË NË BURGJE POR JO ATO QË DUHEN