Reformimi i administratës nis me Hipotekat

Kryeministri Edi Rama thotë se hipotekat janë një nga pjesët më të prekura të asaj që ai e quan “sistem kanceroz i Tepsisë së Partive të Pushtetit”. “Dorëheqja e të gjithë regjistruesve pa dallim përkatësishë partiake dhe shpallja e kërkesës publike për kandidatë, për pozicionin e regjistruesit në çdo bashki, është vetëm hapi fillestar në rrugën e një reforme rrënjësore për të bërë shtet në hipotekë”, thotë ai. Hapi tjetër, sipas Ramës, do të fillojë me krijimin e qeverisë së re. “Do të jetë ngritja e Agjencisë Kombëtare të Titujve të Pronësisë dhe synimi është që më herët sesa vonë, brenda këtij mandati, certifikata e pronës të mundësohet automatikisht nga regjistri kombëtar digjital i pronës, jo më për javë, muaj e vite, po në pak minuta”, deklaron Rama. Kryeministri Edi Rama mblodhi në një takim drejtuesit e Zyrave Vendore të Hipotekave. Në takimin me ta, shefi i qeverisë tha se gjithë struktura e regjistrimit të pasurive është problematike. “Jeni shumë larg realitetit dhe nevojave të njerëzve dhe kjo është një strukturë problematike”, tha Rama. Kryeministri kritikoi këtë institucion, i cili sipas tij, ka raportuar vetëm 5100 leje legalizimi të patrajtuara, ndërkohë që siç tha ai, numri i legalizimeve të ALUIZNI-t është shumë herë më i lartë.

Artikulli paraprakFURTUNË NË BASHKINË E TIRANËS VELIAJ SHKARKON 3 DREJTORË TË LSI
Artikulli tjetërSHKODËR, OSHEE KALLËZON DY PRONARË HOTELESH