Refugjatët,drejt Shqipërisë. Policia greke ndalon 40 persona në autobus

Pas një ngjarjeje që ka ndodhur orët e fundit në Janinë, organet greke të Rendit të alarmuara kanë shprehur shqetësimin e tyre se mund të krijohet një kamp si ai i Idomenit në kufirin greko-shqiptar. Sipas gazetës “To Ethnos”, në stacionin e autobusëve të këtij qyteti, një grup prej 40 refugjatësh janë përpjekur të hipin në një prej autobusëve të linjës për në Shqipëri. Fillimisht ata kanë ardhur nga kampi “Katsikas” pranë Janinës, e më pas kanë qëndruar në stacion dhe në disa ambiente pranë tij, duke gënjyer organet policore se do iknin në kampin e refugjatëve në Langadha të Selanikut. Ndërkohë, rreth 25 prej tyre, midis të cilëve edhe shumë fëmijë, nuk kanë marrë rrugën për në Selanik, por janë përpjekur të gjejnë dhe të hipin në një prej autobusëve me drejtim Kakavijën. Disa prej tyre, sipas gazetës, kanë pohuar më pas pranë organeve policore se destinacioni i tyre ishte Shqipëria. Ky fakt ka krijuar gjendje alarmi në polici dhe më pas janë shtuar në masë kontrollet policore nga të gjitha rrugët dhe te të gjitha mjetet që lëviznin në drejtim të Janinës dhe kufirit shqiptar. “Nëse do të hapet një korridor drejt Shqipërisë, gjendja do të jetë e pakontrollueshme dhe do të kthehet Kakavija në një Idomeni të ri”, ka deklaruar për “To Ethnos” një zyrtar i policisë së Epirit, duke u bërë thirrje refugjatëve të mos bien prè e disa trafikantëve që u premtojnë destinacione nëpërmjet Shqipërisë për t’i çuar më pas në Europën Qendore.

Artikulli paraprakFILMI “KROM” FITON CMIMIN E KRITIKES NE FESTIVALIN E OTRANTOS
Artikulli tjetërARRESTOHEN SHQIPTARET QE RRISNIN KANABIS NE ITALI