Refugjatët nisin kërkesat për azil në Shqipëri
Grupe të refugjatëve që hyjnë nga Greqia në Shqipëri kanë nisur të kërkojnë azil pranë autoriteteve shqiptare. Sipas burimeve policore, 21 refugjatë afganë që u bllokuan në afërsi të pikës kufitare të Kakavijës, në kufi me Greqinë, pak ditë më parë i janë drejtuar një strehimoreje për refugjatët në Tiranë pas kërkesës për azil. Ndryshe nga grupet e tjera të refugjatëve që kërkojnë në pjesën më të madhe rikthimin në Greqi mbi bazë të praktikës së dorëzimit vullnetar, afganët kanë kërkuar qëndrimin në Shqipëri. Burimet kufitare shqiptare e kanë lidhur kërkesën me kushtet tejet të vështira që përjetojnë refugjatët në disa zona të Greqisë që janë prekur nga moti i ftohtë dhe me reshje të mëdha dëbore. Sipas të dhënave policore shqiptare në vitin 2016 numri i refugjatëve azilkërkues në Shqipëri u rrit në rreth 200 nga 134 persona që ishte në vitin 2014 dhe 106 persona në vitin 2015. Sipas vlerësimeve policore refugjatët kryesisht nga Siria dhe Afganistani, i përdorin këto taktika në Shqipëri, pasi nëse nuk kërkojnë formalisht azil rikthehen menjëherë në Greqi, vendi prej nga ku hynë në territorin shqiptar. Në shtator të vitit të shkuar 21 refugjatë sirianë u larguan nga një qendër në periferi të të Tiranës, ndërsa ishin në pritje të kryerjes së praktikave për azil në Shqipëri. Pak ditë më vonë, policia shqiptare bllokoi një pjesë të tyre tek udhëtonin për në Kosovë. Policia arrestoi katër shqiptarë të cilët dyshohet se po i ndihmonin ata të udhëtonin drejt vendit fqinj në këmbim të pagesave financiare.