Refuzohet ekstradimi i shqiptarit autor të grabitjes më të madhe në Angli
Gjykata e Lartë britanike e cilësoi si të paligjshëm vendimin e dhënë nga gjykatat e shkallëve më të ulta për ekstradimin drejt Shqipërisë të një shtetasi shqiptar të përfshirë në një grabitje në vitin 2006. Bëhet fjalë për grabitjen e ndodhur në vitin 2006, ku një grup personash të armatosur sulmuan autokolonën e një kompanie sigurie që transferonte shumë të konsiderueshme parashë dhe u larguan prej andej me 53 milionë paundë. Grabitja ndodhi në Tonbridge, Kent dhe konsiderohet si më e madhe në historinë e Britanisë së Madhe, megjithëse banda la pas 154 milionë paundë, pasi nuk kishte më vend në makinën me të cilën u larguan. Megjithatë, autorët e grabitjes, mes të cilëve dy shqiptarë, u kapën më vonë dhe në 2008, së bashku me tre persona të tjerë u dënuan me burg. Jetmir Buçpapaj, u dënua me 15 vite me akuzën e rrëmbimit, grabitjes dhe armëmbajtjes pa leje. Gjatë gjykimit u tha se roli i tij në grabitje ishte thelbësor, ndërsa miku i tij, Ermir Hysenaj ishte “i infiltruari” që kishte dijeni mbi lëvizjet e autokolonës me para. Shqipëria dhe Anglia kanë nënshkruar një marrëveshje në vitin 2013 për transferim të burgosurish, ndërkohë që transferimin e Buçpapajt e kundërshtoi edhe policia e Kentit, që kreu hetimet e grabitjes