Një test tejet i vështirë miqësor që e ka kërkuar me ngulm po vetë. Kështu e përkufizoi trajneri i kombëtares Edy Reja ndeshjen që kombëtarja shqiptare do të luajë të shtunën në orën 19:45 kundër Spanjës në Katalonjë.

“Futbollin spanjoll e njoh dhe e vlerësoj shumë. Dua që kundër Spanjës të mos përsërisim atë që bëmë me Anglinë. E di që e zotërojnë shumë mirë topin, por në fund kjo nuk më intereson. Në fund dua rezultatin,”-u shpreh Edy Reja, trajner i kombëtares.

Në konferencën për shtyp Reja foli edhe për Italinë duke thënë se eliminimi nga Maqedonia e Veriut ishte një zhgënjim shumë i madh, ndërsa shtoi se për ndeshjen me Spanjën nuk e ka vendosur ende formacionin. Sakaq kapiteni Hysaj u shpreh se ai dhe kombëtarja e presin me padurim përballjen me Spanjën.

“Është ndeshje shumë e bukur që na jep motivim të madh. Spanja është shumë e mirë në mbajtjen e topit, por ne duhet të rrimë pas duke pritur dhe të shfrytëzojmë momentin e duhur,”-tha Elseid Hysaj, kapiten i kombëtares.

Tre ditë pas ndeshjes me Spanjën, konkretisht me 29 mars, Shqipëria do të luajë një tjetër miqësore, por këtë herë kundër Gjeorgjisë në Air Albania.

Artikulli paraprakALIBEAJ NË KONFERENCË, FLET PËR TAKIMIN ME BERISHËN, JA DETAJET
Artikulli tjetërSITUATA E COVID-19/ MINISTRIA E SHËNDETËSISË: JA SA RASTE TË REJA RAPORTOHEN SOT