Rekord droge në Itali, sekuestrohet kokainë me vlerë 65 mln euro
Policia Financiare italiane në Reggio Kalabria në bashkëpunim me Policinë doganore të portit Gioia Tauro, kanë sekuestruar në orët e para të mëngjesit të sotëm një sasi rekord lënde narkotike të tipit kokainë me vlerë 65 milionë euro. Në një kontainer i nisur nga Seattle (SHBA) me tranzit në Panama e destinacion final portin e Ankonës janë gjetur 308 kg kokainë e cilësisë mjaft të pastër. Kokaina ishte e fshehur në 8 çanta udhëtimi dhe e konfeksionuar në 271 pako. Vlera e shitjes së saj në treg do të sillte një përfitim prej 65 milionë euro. Çantat me drogë gjëndeshin pas portës së kontenierit e sistemi i përdorur nga trafikantët për transportimin e saj njihet si i ashtëquajturi “rip off”. Në këtë mënyrë trafikantë mund të tërheqin sasinë e drogës së fshehur në valixhe e çanta udhëtimi, në zonat e tranzitit të mallrave nëpër porte. Përgjatë vitit 2017 në portin Gioia Tauro të Rexhio Kalabrias janë sekuestruar rreth 2000 kg kokainë, 1000 kg prej të cilave vetëm në dy muajt e fundit.