Bashkimi Evropian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të shtetit, tha drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman. Ai, së bashku me të dërguarin e bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë marrë pjesë në debatin në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian. Koopman tha se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës. Ai përmendi pezullimin e punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike. Ai tha se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe se ato janë të kthyeshme në rast se merren hapat e duhur drejt shtensionimit të situatës. Gjatë këtij debati, Lajçak u ka sqaruar eurodeputetëve hapat konkretë që BE-ja u ka propozuar Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet në veri të Kosovës. Në këtë debat, shumica e deputetëve të PE-së kanë kritikuar qasjen e BE-së. Sipas tyre, vetëm Kosova po qortohet dhe ndaj saj po merren masa, ndërkohë që asnjë masë konkrete nuk është përmendur për Serbinë. Deputetët e PE-së kërkuan që të specifikohen masat edhe ndaj Serbisë, por as Lajçak dhe as Koopman nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje. Dy zyrtarët evropianë, megjithatë përsëritën disa herë se “nga të dyja palët kërkohen veprime dhe hapa konkretë”. Lajçak u shpreh i gatshëm të ndaj detaje me deputetët evropianë për hapat që u janë kërkuar palëve për të shtensionuar situatën. Si hap të parë ai përmendi tërheqjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri dhe njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale, paralelisht me tërheqjen e protestuesve. Hap i dytë, sipas tij, është zhbllokimi i hyrjes së kamionëve me mallra nga Serbia në Kosovë, uljen e nivelit të gatishmërisë dhe tërheqjen e forcave ushtarake të Serbisë nga afërsia e kufirit me Kosovën dhe mosdërgimi i tyre në atë zonë. Ai po ashtu tha se përgjegjësit për dhunën në veri duhet të dalin para drejtësisë dhe misioni i BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) do të duhej të monitoronte proceset ndaj tyre.

Lajçak po ashtu përmendi edhe kërkesën e bllokut që të shpallen zgjedhjet e reja në katër komunat në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe që Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – publikisht të deklarojë se do të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Ai tha se po punohet në dy opsione për shpalljen e zgjedhjeve. Opsioni i parë, sipas tij, është më i lehtë dhe ka të bëjë me mundësinë e dorëheqjes së kryetarëve të rinj të komunave në veri. Opsioni tjetër, sipas Lajçakut, politikisht është më i përshtatshëm pasi largimi i kryetarëve do të bëhej përmes një kërkese të nënshkruar nga qytetarët] Kritikave për anshmëri dhe “përkëdhelje” të Beogradit, Lajçak iu përgjigj duke thënë se ai kryen “mandatin në mënyrë të paanshme” dhe se “kritikohem nga të dyja palët”.

“Unë jam mjaft i drejtpërdrejt në takime me ta. Por, qortimi publik dhe fajësimi do të ishte rrugë drejt katastrofës në dialog”, tha Lajçak, duke iu përgjigjur kritikave të eurodeputetëve se ai ka qenë i butë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore. Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale. Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre, ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor.

Artikulli paraprakPËR HERË TË PARË/ NESËR MATURANTËT MUND TË KËRKOJNË KOPJEN E TESTIT PËRMES E-ALBANIA
Artikulli tjetërRAMA KTHEN NË KRYEÇËSHTJE KOSOVËN NË KONFERENCËN PËR UKRAINËN