Kombëtarja shqiptare humbet 4 pozicione në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, pavarësisht fitores me Armeninë dhe kualifikimit historik për në “Euro 2016”.
Në klasifikimin e këtij muaji, skuadra jonë kombëtare e sheh veten në vendin e 36, me 723 pikë. Duket se, ajo që ka ndikuar më shumë në humbjen e pozicioneve në renditjen e FIFA-s të skuadrës sonë përfaqësuese, ka qenë pikërisht sfida me Serbinë, e humbur në sekondat e fundit me rezultatin 0-2. Përsa i përket vendeve të para, ajo që të bie në sy është ngjitja në krye të këtij klasifikimi e Belgjikës, me 1440 pikë. Në vendin e dytë qëndron ende Gjermania, ndërsa Argjentina ka zbritur në vendin e tretë, me 1383 pikë. Klasifikimi i FIFA-s vijon me Portugalinë në vendin e katërt, e ndjekur nga Kili, me këtë të fundit që ka fituar 4 pozicione. Spanja qëndron ende në vendin e 6, e ndjekur nga Kolumbia, Brazili dhe Anglia. Ka fituar pozicione edhe Italia, që është ngjitur në vendin e 13, ndërsa Holanda ka zbritur në të 16-in.