Festat e fundvitit edhe këtë vit nuk mund të shmangnin krijimin e një trafiku tejet të rënduar në rrugët kryesore të qytetit të Shkodrës. Në fakt kjo situatë, me trafik të rënduar ka nisur që me 24 dhjetor, festën e krishtlindjeve dhe vijon ende sot në prag të natës së ndërrimit të viteve.

Edhe pse policia rrugore po zbaton planin e masave, që nis që me kontrollet e shumta në terren, shtimin e forcave të policisë apo edhe një vëmendje më të madhe në tërësi, ka qenë e pamundur për t’ia dalë për shkak të një numri shumëfish më të madh të mjeteve motorike. Përgatitjet për natën e ndërrimit të viteve kanë bërë që trafiku të jetë më i dendur se zakonisht duke sjellë edhe vështirësi në lëvizje.

Një ndikimin në bllokimin për pak minuta në rrugët kryesore të makinave apo edhe rëndimin e trafikut ka patjetër edhe ardhja e emigrantëve ashtu si zakonisht për të qenë pranë familjeve e të afërmve të tyre natën e vitit të ri. Nga ana tjetër edhe hyrja drejt Shkodrës nga pikat e kalimit kufitar në Muriqan dhe Hanin e Hotit kanë bërë që të kemi një trafik jo të zakonshëm në qytetin e Shkodrës.

Përmes pikës së kalimit kufitar në Muriqan në 48 orët e fundit kanë hyrë dhe dalë mbi 11 mijë shtetas, prej të cilëve rreth 6 mijë kanë hyrë në vendin tonë. Në një situatë të tillë, shtohet apeli që shoferët të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor për të shmangur aksidente të mundshme

 

Artikulli paraprakKISHA KATOLIKE MESAZH NGUSHËLLUES PËR PAPA BENEDIKTIN
Artikulli tjetërBERISHA: TË SHUMËFISHOJMË FUQITË NË GJITHË SHQIPËRINË