Në tregun vendas është zgjeruar pesha e qumështit të importuar, duke kompensuar tkurrjen e prodhimit vendas.

Për periudhën janar-prill 2023, sipas të dhënave të Doganave, sasia e qumështit të importuar u rrit 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022. Në vlerë importet e 4-mujorit u shtuan 39%.

Disa kompani vendase për këtë vit, referuar çmimeve fundore të shitjes në supermarkete kanë ulur çmimet e qumështit të paketuar të lopës deri 30 deri 36% për muajin maj krahasuar me muajin prill. Sakaq sipas të dhënave nga fabrikat përpunuese, qumështi i lopës nga fermeri shqiptar vijon të shitet njëlloj 65 deri 75 lekë pa TVSH ose 80 deri 90 lekë me TVSH.

Operatorët pohojnë se rënie prodhimi nuk ka, sepse çmimi është shumë i favorshëm në këto momente për blegtorët. Por sasia e prodhuar ende nuk plotëson kërkesën që ka sektori i përpunimit. Por në këtë periudhë lënda e parë që importohet sipas tyre nuk i kalon 3-5%.

“Edhe pse ka rënë ndjeshëm çmimi i qumështit nga importi, qumështi vendas akoma nuk po bie, pasi ka kërkesë të lartë nga përpunuesit që nuk kanë produkte të magazinuara. Prodhimi vendas nuk është i mjaftueshëm. Arsye tjetër e mos uljes së çmimit janë edhe kostot e larta të fermerit shqiptar që vijnë nga mungesa e rimbursimeve dhe braktisja e fermave nga fermerët për shkak të emigracionit”, pohoi një nga kompanitë përpunuese.

Operatorët shtojnë se çmimi i qumështit të lopës jashtë, duke përfshirë edhe kostot e transportit po blihet 10% më lirë se produkti vendas.

Shoqata e Industrisë së Përpunuesve Shqiptarë në një prononcim në muajin dhjetor 2022 për Monitor paralajmëroi se nëse situata vazhdon në të njëjtën formë, atëherë këto produkte te importit do të jenë edhe më të pranishme në tregun tonë, duke nxjerrë jashtë tregut produktet vendase, të cilat nuk do të jenë më të preferueshme nga konsumatori dhe kompanitë prodhuese shqiptare detyrimisht do te shkojnë drejt një falimenti të sigurt.

“Nëse nga qeveria nuk do të shtohen subvencionet e duhura për blegtorët, në mënyrë që blegtorët të kenë kosto më të ulëta për prodhimin e qumështit, çka do të sillte që të kishim një çmim të qumështit të blegtorëve shqiptar të njëjtë ose shumë të përafërt me çmimin e qumështit të freskët nga blegtorët e rajonit/BE dhe nëse nuk do të ketë çmime të njëjta për naftën, energjinë elektrike, gazin, sektori i përpunimit të qumështit do të ketë vështirësi të shtuara dhe produktet e importit do të jenë dominante dhe prezente çdo ditë dhe më tepër në raftet e marketeve, supermarketeve dhe në tavolinat e konsumatorëve shqiptarë”, pohoi më herët shoqata.

Bazuar në të dhënat e importit, paralajmërimi i tyre duket se është bërë realitet dhe në tregun vendas është rritur pesha e produkteve të huaja të qumështit të përpunuar.

Aktualisht në treg çmimi i qumështit të markave të huaja nuk ka pësuar ndryshim. Me uljen e çmimit, qumështi vendas për muajin maj po shitet më lirë se ai i importit. Çmimi i qumështit të lopës i paketuar të përpunuesve vendas po tregtohet 160 deri 190 lekë për litër, kundrejt 195 lekë që po shitet qumështi i paketuar nga importi.

1 muaj më parë sipas një vëzhgimi të Monitor qumështi vendas në disa rrjete supermarketesh u shit 27% më shtrenjtë se qumështi i importit. Konkretisht 1 litër qumësht i sterilizuar vendas kushtonte 250 lekë për litër, ndërsa qumështi i markave italiane “Sterilgarda” apo “Adoro” kushtoi 195 lekë për litër. /Monitor

Artikulli paraprakMOS HUMBISNI AMBICIEN TUAJ NË PUNË E DASHURI, ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT
Artikulli tjetërESCOBAR E LAJÇAK SOT NË PRISHTINË, TAKIM ‘KOKË MË KOKË’ ME KURTIN