Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas rënies në krye të detyrës të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Sami Thaçi, ka shpallur ditën e enjte, ditë zie, në shenjë nderimi shtetëror.
Në pajtim me legjislacionin në fuqi, në ditën e zisë, të shpallur për ta nderuar jetën dhe veprën e policit Sami Thaçi, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Gjatë ditës së djeshme, presidenti Thaçi ka ndarë edhe urdhrin “Hero i Kosovës” për policin Sami Thaçi.
“Heroizmi i Samiut, Enverit, Izetit dhe i dhjetëra policëve të rënë në krye të detyrës është krenari e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tyre në mbrojtje të rendit dhe ligjit na obligon që të punojmë edhe më shumë për një Kosovë të qetë e stabile dhe një vend më të mirë për gjithë qytetarët tanë”, ka thënë kreu i shtetit.
Sami Thaçi, është zyrtari i 21-të policor i Kosovës që ka humbur jetën në krye të detyrës, që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 20 vjet më parë.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës humbi jetën gjatë një aksioni bastisjeje në fshatin Zhur të Prizrenit, kurse dy zyrtarë të tjerë policor ishin lënduar, prej të cilëve njëri kishte marrë plagë të rënda.
“Gjithashtu edhe një fëmijë i të dyshuarit është plagosur, duke marrë lëndime të lehta trupore. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndalur për 48 orë”, deklaroi Shaban Osmanollaj nga policia rajonale e Prizrenit.
Dy policët e plagosur, sipas njoftimeve nga Policia e Kosovës, ndodhen jashtë rrezikut për jetë.