Drejtoria e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi në Shkodër ka marrë masat për përballimin e situatës së zjarreve në sezonin veror. Bashkim Ramaj, shefi I ndërhyrjes së shpejtë bëri të ditur se janë marrë masat për ndërhyrjen në kohë të të gjitha emergjencave në territorin e bashkisë Shkodër.
Ndërkohë, edhe këtë vit, do të ketë një nënstacion në plazhin e Velipojës, por jo në pikën turistike të Thethit.
Shefi I ndërhyrjes I bën apel banorëve në fshatra që të bëjnë kujdes në pastrimin e tokave bujqësore, pasi çdo vatër zjarri mund të dalë jashtë kontrolli duke rrezikuar banesat.
Përgjatë sezonit veror vitin e kaluar, kjo drejtori ka ndërhyrë në shuarjen e 195 zjarreve në territorin e bashkisë Shkodër. Shifër kjo tepër e konsiderueshme krahasuar me numrin e efektivëve që shërbejnë në repartin zjarrëfikës dhe kanë ndërhyrë në izolimin e vatrave të zjarrit në banesa, sipërfaqe pyjore dhe fusha.