Zgjedhja e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë me shumicë të thjeshtë apo të cilësuar është në të dyja rastet sipas standardeve.

Ka qenë ky vlerësimi që kanë dhënë ekspertët e Komisionit të Venecias në konferencën për shtyp të mbajtur në përfundim të takimeve të zhvilluara në Tiranë. “Çështja më e diskutueshme ka qenë shumica që duhet të përdoret për zgjedhjen e drejtuesve të organeve të ndryshme. Ekspertët kanë propozuar që të zgjidhen me 3 të pestat, ndërsa opozita që të zgjidhen me 2 të tretat. Të dyja këto opsione janë sipas standardeve evropiane, ndaj nuk ka nevojë për ndërhyrjen e Komisionit të Venecias”, ka deklaruar kreu i delegacionit të ekspertëve, Tomas Markert. Por, ka theksuar ai, çështja e shumicës nuk është e vetmja çështje e rëndësishme sa i takon amendamenteve të Kushtetutës. “Në kuadër të procedurës së përzgjedhjes duhet të sigurohemi që kandidatët të kenë standarde. Sipas nesh, ekzistojnë disa opsione për zgjidhjen e kësaj situate dhe besoj se forcat politike në Shqipëri duhet të bien dakord”, ka nënvizuar Merkert.Duke komentuar takimet e zhvilluara gjatë ditës, ekspertët kanë thënë njëzëri se bëhet fjalë për një çështje të komplikuar dhe e vuri theksin tek pikat ku duhet të fokusohet ajo. “Kjo reformë është e domosdoshme për Shqipërinë. Kjo nuk është një reformë e thjeshtë, por duhet kohë për ta realizuar dhe duhet të rregullojë statusin e prokurorit, gjyqtarit dhe të luftojë korrupsionin. Ne e mbështesim vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kemi dhënë detaje dhe rekomandime në takimet e zhvilluara, ndaj raporti i ndërmjetëm ka shumë faqe. Do të kemi edhe komente përfundimtare në raportin përfundimtar, por mund të them se reforma është në rrugën e duhur”, ka vijuar Markert. Ai ka vlerësuar se, ekspertët shqiptarë kanë bërë një punë të mirë në hartimin e draftit dhe se kanë pasur një bashkëpunim të mirë me ta. 

 

 

Artikulli paraprakKLSH PADIT 4 ISH-DREJTUES TË HIPOTEKËS SHKODËR
Artikulli tjetërPROTESTOJNË 20 FAMILJE NË LAGJEN “3 HERONJT”