Republikanët ruajnë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit

SHBA – Disa javë më parë, kur anketat tregonin se Hillary Clinton kishte një epërsi të madhe në garën presidenciale, demokratët ishin të bindur se do të merrnin kontrollin e Senatit. Madje më optimistët mendonin që demokratët kishin mundësinë të merrnin edhe kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Por rezultatet e zgjedhjeve të djeshme e treguan qartë jo vetëm humbjen e kandidates demokrate për president, Hillary Clinton, por edhe fitoren e republikanëve në të dyja dhomat e Kongresit. Dje u mbajtën zgjedhje për 34 nga 100 ulëset në senatin amerikan dhe 435 vendet në Dhomën e Përfaqësueseve. Me dy gara ende të pavendosura, republikanët do të kenë 51 ulëse në Senat, ndaj 47 ulëseve që kanë demokratët. Republikanët do të ruajnë shumicën edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, por me një epërsi më të vogël se më parë. Ruajtja e shumicës në të dyja dhomat e kongresit është e rëndësishme pasi ato përcaktojnë axhendën legjislative dhe kryesojnë komisionet e fushave të ndryshme./voa/

Artikulli paraprakBASHKIA SHKODER,DEKLARATE PER SITUATEN NE TERRITORIN E SAJ
Artikulli tjetërPROBLEME ME ENERGJINE ELEKTRIKE NE DISA QYTETE