Një 24 vjeçar që nga ora 10:00 e ditës së djeshme mbeti i bllokuar në fshatin Ndërmollas të njësisë Postribë. Shtetasi Mursel Sykaj po kthehej drejt stanit të tij ku jeton bashkë me familjen por mbeti në mes të borës e cila aty shkonte deri në 1 m 80 cm.
Menjëherë 24 vjeçari ka njoftuar me celularin e tij të afërmit për bllokimin në mes të borës. Familjarët kanë njoftuar Shtabin e Emergjencave Civile. Fillimisht një helikopter është nisur për ta marrë por pas dy tre tentativash helikopteri nuk ka mundur të ulet si shkak i reshjeve të borës.
Në këtë mënyrë e vetmja mundësi ka qenë vetëm përmës tokës. Kështu në Prekal kanë mbërritur disa grupe të FNSH. Dy grupe të efektivëve të policisë bashkë me disa banorë të zonës janë nisur në këmbë në orët e pasdites së djeshme.
Pas rreth dy orësh ecje në këmbë në mes të borës është arritur që 24 vjeçari të gjendet teksa ndodhej i bllokuar. Menjëherë forcat e FNSH e kanë marrë 24 vjeçarin duke bërë që ky i fundit t’i shpëtojë bllokimit.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe disa familjarë dhe në këtë mënyrë 24 vjeçari Mursel Sykaj është dërguar tek stani ku ndodhej familja dhe ku kalojnë dimrin aty.
Pasi 24 vjeçari u shpëtua forcat e policisë dhe banorët janë rikthyer drejt Prekalit të njësisë Postribë duke bërë edhe dy orë të tjera në këmbë në mes të borës që shkonte deri në 1 m 80 cm. Mursel Sykaj që qëndroi për rreth 9 orë i bllokuar në mes të borës kishte ardhur drejt Postribës për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të gjyshes së tij.
Nga fshati malor ka arritur që të vijë në këmbë për shkak se nuk ka rrugë për makinë. Pasi ka nisur rrugën e kthimit ka mbetur i bllokuar pak para se të mbërrinte tëk stani i tij dhe familjes ku e priste babai, bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël.
Rruga nga njësia Shllak e bashkisë Vau Dejës që lidhet me fshatin Ndërmollas ku donte të shkonte 24 vjeçari është e bllokuar nga bora dhe andej nuk mund të kalojnë as mjetet e larta.
E vetmja mundësi për Mursel Sykaj që të merrte pjesë në ceremoninë e varrimit ka qenë që të vinte në këmbë. Ka arritur që të shkojë por në kthim u detyrua të qëndrojë 9 orë i bllokuar derisa FNSH dhe banorët e zonës arritën ta shpëtojnë. Situata në ato fshatra është shumë e vështirë për shkak të trashësisë së borës dhe kalimi për këmbësorët është tejet i rrëzikshëm.