Vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike si rezultat i kalimit të një fronti të ftohtë atmosferik shoqëruar me masa ajrore të lagështa me origjinë veriperëndimore.

Moti parashikohet me vranësira të dendura shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave.

Përgjatë ultësirës perëndimore reshjet lokalisht dhe në periudha afatshkurtra pritet të jenë me intensitet deri dhe të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Në zonën e Alpeve dhe relievet e larta malore në verilindje pati reshje të dobëta dëbore.

Do të ketë reshje me intensitet të lartë në veri dhe qendër të vendit. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Era do të fryjë me drejtim jugperëndim-veriperëndim me shpejtësi mesatare 1-5 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e lugina era fiton shpejtësi 8-12 m/sek, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

në zonat malore 10 deri 15°C

në zonat e ulëta 10 deri 19°C

në zonat bregdetare 12 deri 18°C.

Artikulli paraprakDO SHISTE 2 MIJË FARA KANABISI, KAPET ‘MAT’ 47-VJEÇARI NË VAUN E DEJËS
Artikulli tjetërVRASJA E DY GRAVE, SOT DITË ZIE NË KOSOVË! FLAMUJT ULEN NË GJYSMËSHTIZË