Prej disa ditësh vendi është përfshirë nga një mot i keq, shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe dëbore, kryesisht në zonat e malësisë.
Nisur nga parashikimi i motit, OSSH ka organizuar dhe ngritur grupet e gatishmërisë në të gjithë vendin, duke përforcuar personelin dhe bazë materiale të nevojshme.
Njoftimi i OST:
Pavarësisht masave, koha e keqe pengon stafet tona të reagojnë më shpejtë për normalizimin e situatës. Problematika shfaqen kryesisht në zona të thella rurale, ku gjatësia e rrjetit arrin deri 60 km, sidomos në veri të vendit.
Dëbora është bërë pengesë për kalimin e bazës materiale, pasi rrjeti elektrik kalon në terrene të vështira, si në Valbonë, Lekbibaj, Lëpushë, Kelmend, etj.
Sikurse ju kemi përcjellë përmes fotove situatën e vështirë, dëmet janë kryesisht te përcjellësit, izolatorët dhe shtyllat, pra në rrjetin ajror që kalon përmes relieveve malore.
Petraq Lika, administrator i OSSH Sh.A, thotë për mediat se, “Nga brigadat e terrenit po punohet me intensitet të lartë për riparimin e defekteve të mbetura. Vështirësi në riparimin e defekteve paraqitet në zonat rurale, ku kryesisht janë linja ajrore, gjë që sjell dhe vonesa në zgjidhjen e problemit për shkak të terrenit të vështirë”.
Afro 90% e defekteve janë në zona rurale, ku 70% janë në zona “rurale të thella”. Aktualisht rajonet më të prekura nga defektet janë Shkodra, Kukësi, Vlora, Burreli dhe Bajram Curri.