Reshje të shumta shiu kanë përfshirë vendin tonë që prej orëve të para të mëngjesit, duke krijuar kështu edhe problematikat e para.
Në qarkun e Lezhës për shkak të reshjeve ka dalë nga shtrati Përroi i Zmejës në Tarazh dhe janë përmbytur disa banesa dhe një sipërfaqe toke bujqësore. Nje rritje e madhe e nivelit të ujit që ka shkaktuar përmbytje të disa banesave. Banorët kanë kërkuar ndihmë nga emergjencat civile.
Raportohet se është bllokuar aksi Skuraj-Burrel për shkak të rënies masive të gurëve. Zjarrfikësit dhe Emergjencat Civile janë në terren.
Në Tiranë reshjet e shiut kanë nisur me intensitet që orët e para të mëngjesit. Për pasojë disa rrugë janë të mbushura me ujë, ndërsa niveli Lanës është rritur në zonën e Pallatit me Shigjeta. Kryebashkiaku Erion Veliaj u bën thirrje qytetarëve që të evitojnë lëvizjet e panevojshme.
Në Durrës ka prani të madhe të ujit pranë stadiumit të futbollit ‘Niko Dovana’ dhe te rruga ‘Egnatia’ që të çon në Currila.