Ne zonat malore të Shkodrës vijojnë reshjet e shiut por me intensitet të ulët.
Reshjet kanë përfshirë zonën Hani Hotit – Tamarë, Tamarë-Vermosh në Malësinë e Madhe dhe aksin Bogë-Theth që lidh Shkodrën me Dukagjinin. Ndërkohë burime pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar në Shkodër bëjnë me dije se nga shkrirja e skarpatave të maleve ka patur rënie gurësh në pjesë të ndryshme të këtyre segmenteve rrugore të cilat janë pastruar dhe qarkullimi bëhët normalisht.

ARRSH bën gjithashtu të ditur se rrugët në këto zona malore janë të kriposura në rast se mund të ketë reshje bore që pritet të bien në fundjavë dhe se firmat e nënkontraktuara janë në gatishmëri 24 orë. Ndërkohë rreth orës 12:15 të 18 janarit në fshatin Hadroj të rrethit Pukë, dyshohet se për shkak të lagështirës nga shirat, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në ujërat e lumit Fan, automjeti me drejtues shtetasin me inicialet Z. N., 60 vjeç dhe ku ishte pasagjer, djali i tij, shtetasi me inicialet N. N., 24 vjeç. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e aksidentit, ku kanë bërë të mundur nxjerrjen e dy shtetasve.

Ata janë transportuar në spitalin e Pukës, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën ndërsa vijon puna për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të aksidentit. ARRSH i bëri thirrje drejtuesve të automjeteve që të jenë të kujdesshëm në akset e zonave malore dhe të përgatitur për çdo situatë nga reshjet e shiut apo të borës.

Artikulli paraprakBESËLIDHJA – VLLAZNIA, BEKTESHI: NDESHJE E VËSHTIRË
Artikulli tjetërFASONËT: MASAT E QEVERISË TË VONUARA