Këto pamje i përkasin arkivave në bashkinë Shkodër. E lënë në këtë situatë prej shumë vitesh, dhoma ku ruhen e e arkivohen prej vitesh dokumentat e bashkisë Shkodër është amortizuar në shumë pjesë të saj. Dëmtimet për shkak të degradimit gradual dhe mungesës së vëmendjes janë evidente pothuajse në të gjithë hapësiren ku ndodhet arkiva e bashkisë Shkodër.
Në këtë mënyrë kryetarja e bashkisë Voltana Ademi ka menduar që të vërë dorë duke qenë se arkiva për një institucion është një prej pjesëve më të rëndësishme e cila kërkon një trajtim të veçantë. Kështu në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak me 4 dhjetor pritet që të miratohet një fond për restaurimin e arkivës së bashkisë. Do të jetë një fond prej 26 milion lekësh të vjetra që pritet të akordohet për këtë restuarim. Në projekt-vendim thuhet se fondi do jetë për një mirëmbajtje të jashtëzakonshme të arkivës, çka do të thotë se tashmë do t’i jepet vëmendja e duhur në mënyrë që pamja aty të ndryshojë totalisht. Financimi prej 26 milion lekësh të vjetra do të jepet nga fondi transitor i akorduar nga qeveria për zbatimin e reformës territoriale. Në projekt-vendim bashkia bën të ditur se ambjenti ku do të ndërhyhet është jashtë kushteve teknike dhe standarteve që duhet të plotësojë për t’u përdorur si arkivi i këtij institucioni. Suvaja në disa pjesë është tejet e amortizuar dhe përbën burim lagështire ashtu siç vetratat janë të konsumuara dhe kërkojnë zëvendësim për të penguar depërtimin e shiut. Po ashtu bëhet e ditur se në atë arkivë duhet që të përfshihet i gjithë dokumentacioni i bashkisë së re të Shkodrës në të cilën aktualisht mungojnë kushtet minimale. Ventilimi është një tjetër shqetësim përsa i përket ruajtjes dhe konservimit të dokumentave ashtu siç një rrezik përbëjnë edhe sistemi i furnizimit me energji elektrike apo amortizimi i paisjeve të ndriçimit. Për të gjitha këto do ketë ndërhyrje për të bërë që arkiva e bashkisë Shkodër të mos jetë e rrezikuar dhe të qëndrojë në një mjedis normal.