I vetmi i mbijetuar nga shembja e banesës së familjes 9 anëtarëshe, Lala në Durrës është 17-vjeçari Ramë Lala. Gjendja e tij shëndetësore nuk është paraqitur e mirë dhe pasditen e së enjtes ai është nisur drejt Italisë për të marrë një mjekim më të specializuar.Ndërkohë për ngjarjen tragjike që i ndodhi kësaj familje që humbi 8 anëtarët e saj ka bërë një shkrim edhe media prestigjioze Reuters.
Kjo media ka shkruar edhe për mënyrën se si shpëtoi 17-vjeçari i mbijetuar.Jetën e Ramë Lalës, e ka shpëtuar një lavatriçe. Struktura metalike e kësaj orendie shtëpiake ka krijuar mjaftë hapësirë sa për t’i mbrojtur trupin dhe kokën 17-vjeçarit, pas shembjes së banesës katër katëshe nga tërmeti i fuqishëm që la pas të paktën 50 viktima shkruan Reuters.
Ramë Lala që në momentet e para që është nxjerrë ka qenë i ndërgjegjshëm, ka komunikuar gjatë gjithë kohës me pjesëtarët e ekipit mjekësor. Ai pretendon se ka dëgjuar zërin e motrës, Griseldës, deri pak minuta para se të nxirrej nga banesa, por që për fat të keq ajo u nxor e vdekur nga rrënojat.
Nga nëntë pjesëtarët e familjes Lala, Ramë Lala është i vetmi që është nxjerrë i gjallë. Në momentin e shpëtimit e vetmja kërkesë e tij ishte që t’i dërgohej sa më shumë ujë dhe këtë e kanë bërë ekipet e kërkim-shpëtimit.Në momentin që ka rënë tërmeti i parë, në 2 të mëngjesit, të gjithë pjesëtarët e familjes kanë zbritur nga kati i katërt dhe i tretë i vilës dhe janë grumbulluar në katin e dytë.
Në momentin që ka rënë tërmeti i fortë ata kanë tentuar të largohen në drejtim të shkallëve, që kanë qenë në brendësi të banesës, pra nuk ka pasur shkallë jashtë. Ramë Lala është spostuar nga lavatriçja dhe ka ngecur në cepin e banesës, aty ku qëndroi për gati 10 orë dhe u arrit të shpëtohej pastaj