Dhjetëra njerëz humbën jetën në një revoltë dhe një zjarr të madh që shpërthyen në një burg të Meksikës.
Revolta në burgun Topo Chico në qytetin Monterrey shpërtheu pas mesnatës dhe besohet se ka qenë një betejë mes bandave rivale. Mediat vendase transmetuan pamje të tymit që ngrihej nga kompleksi i ndërtesave të burgut, por zyrtarët thanë se tashmë situata është nën kontroll dhe asnjë i burgosur nuk ka mundur që të arratiset. Turma të mëdha njerëzish të shqetësuar për të afërmit e tyre në burg bllokuan rrugët rreth tij dhe kërkuan informacione. Incidenti ndodhi vetëm disa ditë para se Papa Françesku të vizitojë një burg në qytetin verior Ciudad Juarez,, një zonë famëkeqe për dhunën mes bandave të drogës. Sipas autoriteteve meksikane rreth 49 njerëz u vranë gjatë trazirave në burg. Mirëpo mediat nga ky vend raportuan për rreth 60 të vdekur, mes tyre të burgosur dhe gardianë. Dëshmitarë okularë thanë se dëgjuan breshëri armësh gjatë zhvillimit të revoltës në burg. Shkaku u revoltës nuk është ende i qartë, por sipas raporteve të mediave lokale gjithçka nisi pas një tentative arratisje nga të burgosurit që i përkasin kartelit të drogës Los Zetas. Dhuna mes bandave dhe revoltat janë të zakonshme në burgjet e Meksikës të cilat janë famëkeqe për mbipopullimin dhe korrupsionin e lartë.