Në Portin e Shëngjinit kanë mbërritur 8 emigrantë të tjerë të cilët u kapën në brigjet e Siçilisë (6 nga e Egjipti dhe 2 nga Bangladeshi), sipas marrëveshjes me Italinë. Anija ‘Libra’, siç shihet edhe nga pamjet, mbërriti këtë mëngjes, 8 tetor, në Portin e Shëngjinit.
Ky është grupi i dytë i emigrantëve që mbërrijnë në vendin tonë, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Romës, që detyroi Italinë të kthejë mbrapsht 12 emigrantët e parë.
Rreth orës 08:00, anija Libra u ankorua në Portin e Shëngjinit dhe 8 emigrantët janë vendosur në qendrën pritëse ku do t’iu nënshtrohen procedurave të verifikimit dhe kontrollit shëndetësor dhe më pas do të transferohen në kampin e Gjadrit. Anija u nis ditën e mërkure nga brigjet e Lampeduses dhe mbërriti këtë mëngjes në Shëngjin.
Fillimisht ishin përzgjedhur që të vinin nëntë persona, por një burrë bengalez është konsideruar shumë i moshuar dhe me gjendje shëndetësore jo të mirë.
Në bordin e anijes Libra mund të udhëtojnë deri në dyqind persona, përveç ekuipazhit, dhe ky ishte objektivi i shpallur i qeverisë kur filloi operacioni Shqipëria. Por në praktikë, vetëm pak nga ata që kalojnë detin mund të kalojnë nëpër procedurat e përshpejtuara të kufirit, të cilat janë një kusht për hyrjen në qendrat e reja në Shqipëri.
Grupi i parë i emigrantëve të cilët mbërritën më 16 tetor qëndruan vetëm tre ditë në Shqipëri, pasi Gjykata e Romës detyroi Italinë të kthejë mbrapsht kontigjentin e azilkërkuesve, pasi nuk vinin nga vende të sigurta.
Për të zgjidhur ngërçin, më 21 tetor kryeministrja Giorgia Meloni nxori një dekret ku përditësonte listën e vendeve të sigurta. Dekreti synon të heqë përfundimisht barrierat për zbatimin e marrëveshjes me Shqipërinë për sjelljen në Gjadër të emigrantëve azil-kërkues nga vendet e treta.