Shqiptarët që do të rikthehen në atdhe nga data 4 maj e në vazhdim, do t’i nënshtrohen rregullave të reja, të cilat u prezantuan ditën e sotme nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Të gjithë shqiptarët do të duhet të rezervojnë një biletë me Air Albania, por ndryshe nga herët e kaluara, nuk duhet të prenotojnë automatikisht një dhomë hoteli që shërben si strukturë karantinuese, por duhet të deklarojnë adresën e saktë të shtëpisë.
Është kjo e fundit, pra adresa e shtëpisë që do të bëjë përcaktimin nëse do të karantinohen në hotele apo në shtëpi. Që do të thotë nëse qytetari jeton në një nga zonat e gjelbra do të karantinohet në hotel, e ndërsa ato në zonat e kuqe në shtëpi, por në këtë rast do të karantinohet edhe gjithë familja. Ministrja Balluku ka sqaruar se nëse ka ndonjë qytetar që jeton në zonat e kuqe dhe dëshiron të karantinohet në hotel, për të mos rrezikuar familjarët atëherë mjafton ta deklarojnë në avion dhe është i lirë.
Theksojmë se për qytetarët që do të karantinohen në hotel, shpenzimet e ushqimit ditor do të duhet ta paguajnë më shpenzimet e tyre. Njëjtë si në të kaluarën, shifra ditore për ushqim është 7 euro që do e paguajë çdo qytetar nga xhepi i tij, dhe pjesa tjetër e fjetjes prej 14 euro nga shteti. Në të dyja rastet, si karantinimi në hotel, por edhe në banesë do të monitorohen nga policia e shtetit dhe ushtria. Kujdes…Balluku ka sqaruar se deklarimi i rremë i adresës së shtëpisë, i ngarkon qytetarët me përgjegjësi penale.
“Sot kam një lajm të mirë për qytetarët që ndodhen në pritje për t’u kthyet. Nga 4 maji do të ndikojë edhe për riatdhesimin. Të gjithë shqiptarë duhet të aksesojnë faqen Air Albania për të kryer rezervimin e biletës, duhet të deklaroni adresën e banimit. Ato që jetojnë në zonët e gjelbra duhet të vetëkarantinohen në hotel, në zonat e kuqe në shtëpi të monitoruara nga policia. Nuk është më i nevojshme prentotimi i hotelit. Gjatë udhëtimit tuaj në bordin e Air Albania, do të keni një formular të deklarimit ku do shkruan edhe një herë adresën e banesës, ky formular ju ngarkon me përgjegjësi ligjore nëse rast se gënjeni do ketë penalizmi. Udhëtarët e riatdhesuar do ndahen në dy grupe, në zonat e gjelbra do dërgohen me autobus në hotel. Do të duhet të mbulojnë vetëm shpenzimet ushqimore, 7 euro ndërsa 14 euro nga shteti. Banorët e zonat e kuqe do vetëkarantinohen në shtëpi, së bashku me familjet. Nëse nga këto të fundit duan të karantinohen në hotel, ta deklarojnë në avion”, tha Balluku.
Rregullat e reja për riatdhesimet
1.Qytetarët duhet të presin biletën në Air Albania
2.Nuk duhet të prenotojnë automatikisht hotel, por të japin adresën e saktë të shtëpisë
3.Në bordin e avionit duhet të plotësojnë një formular, do rishkruhet edhe një herë adresa
4.Në rast mashtrimi, do të ketë përgjegjësi penale
5.Banorët në zonat e gjelbra do karantinohen në hotel, me shpenzimet e tyre (7 euro për ushqim, 14 euro paguhen nga shteti)
6.Banorët e zonët e kuqe do të karantinohen në shtëpi, së bashku me familjarët
7.Në të dyja rastet do të monitorohen nga ushtria dhe policia
8.Nëse një qytetar nga zonat e kuqe dëshiron të karantinohet në hotel është i lirë