Dy pikë-kalimet kufitare, një në Jarinjë dhe tjetri në Bërnjak, janë hapur sot për qarkullim pas më shumë se dy javë bllokim si pasojë e barrikadave në veri të Kosovës. Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media.

Njoftimi i policisë:

Në veri të vendit largohen barrikadat dhe lirohen për qarkullim dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak
Prishtinë, më 30 dhjetor 2022
Policia e Kosovës (PK), bazuar në autorizimet kushtetuese dhe ligjore në vazhdimësi ka bërë vlerësime mbi situatën e sigurisë në veri të vendit, e cila ishte përkeqësuar që nga data 10.12.2022 kur ishin vendosur barrikadat në rrugë, si pasojë e të cilave ishin mbyllur edhe dy pikë-kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situaatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme. Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës ishte angazhuar në të gjitha format që t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e sigurinë publike. Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim.

Zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.
Liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Artikulli paraprakNASA I JEP LAMTUMIRËN PELESË ME NJË FOTO TË NJË GALAKTIKE NË NGJYRAT E BRAZILIT, AGJENCIA HAPËSINORE NDERON “MBRETIN E LOJËS SË BUKUR”
Artikulli tjetër10 MIJË LEKË NË JANAR PËR 9604 PUNONJËS POLICIE, RAMA: PRANË SHËRBËTORËVE TË SHTETIT E TË POPULLIT SHQIPTAR