Aksi Tamarë-Vermosh, i cili u bllokua mëngjesin e së martës si pasojë e një masivi shkëmbor të rënë në vendin e quajtur Gropat e Selcës, është rihapur sërish mesditën e sotme.

Pavarësisht terrenit të vështirë, dy fadromat e dërguara nga firma e kontraktuar bënë të mundur hapjen në pak orë. Ndërkohë, ato janë në gatishmëri të çdo rasti për mirëmbajtjen e rrugës. Në një bisede telefonike për Star Plus, kreu i njësisë administrative Adriatik Çekaj konfirmoi se gjatë 24 orëve të fundit është vënë në dispozicion edhe autoambulanca e zonës për çdo rast të mundshëm emergjent në zonën e Vermoshit.

Fatmirësisht nuk ka pasur urgjenca, pasi rruga u hap pas 24 orëve që u konstatua e bllokuar. Çekaj njofton të gjithë banorët e kësaj njësie vendore se aksi është lehtësisht i kalueshëm. Ai nuk përjashton mundësinë e përsëritjes së situatës, por thotë se janë marrë masat e nevojshme për menaxhimin dhe mbajtjen hapur të rrugës. Pavarësisht se aksi Tamarë-Vermosh është një rrugë e ndërtuar së fundmi, rrëshqitjet kanë qenë të shpeshta, kjo si pasojë e terrenit të thyer malor.

Artikulli paraprakHIDHET NGA KATI I SHTATË; HUMB JETËN 35-VJEÇARJA
Artikulli tjetërKAPEN 128 KG KANABIS NË PRANGA NJË SHQIPTAR E NJË GREK