Një pajisje 2 000-vjeçare, shpesh e konsideruar si “kompjuteri” më i vjetër në botë, është rikrijuar nga shkencëtarët e “University College” të Londrës, në një përpjekje për të kuptuar mënyrën e funksionimit të saj, shpjegohet në një punim të botuar në revistën shkencore “Scientific Reports”, sipas BBC. Mekanizmi Antikythera i ka hutuar ekspertët që kur u gjet në një anije të mbytur të epokës romake, në Greqi, në vitin 1901. Pajisja e lashtë greke mendohet se është përdorur për të parashikuar eklipset dhe ngjarje të tjera astronomike, por vetëm një e treta e pajisjes mbijetoi, duke i lënë kështu studiuesit të vrasin mendjen për të kuptuar se si funksiononte dhe si dukej.
Pjesa e pasme e mekanizmit, që përmban një përshkrim të ekranit të kozmosit, ku tregohet lëvizja e pesë planetëve të njohur në kohën kur u ndërtua pajisja, u zgjidh nga studimet e hershme, por natyra e ndërlikuar e sistemit të tij të ingranazheve në pjesën e përparme ka mbetur një mister. Shkencëtarët londinezë besojnë se, më në fund, e kanë thyer enigmën duke përdorur modelimin 3D kompjuterik. Ata kanë rikrijuar të gjithë panelin e përparmë dhe tani shpresojnë të ndërtojnë një kopje në shkallë të plotë të Antikythera-s duke përdorur materiale moderne.
“Dielli, Hëna dhe planetët shfaqen në një rikthim mbresëlënës të shkëlqimit grek të lashtë”, tha autori kryesor i punimit, profesor Tony Freeth. “I yni është modeli i parë që përputhet me të gjitha provat fizike dhe me përshkrimet në mbishkrimet shkencore të gdhendura në vetë mekanizmin”, shtoi ai. Mekanizmi, prej bronzi dhe me dhjetëra ingranazhe, është përshkruar si një llogaritëse astronomike dhe si kompjuteri i parë analog në botë. “Ka qenë një pajisje e ndarë në shumë pjesë, dhe është një pazëll i përbërë prej 82 pjesësh ku secila prej tyre është analizuar për të kuptuar funksionin dhe si kjo pajisje funksiononte. Me anë të rrezeve x dhe teknologjisë 3D, arritëm të merrnim informacionin e duhur për të kuptuar funksionalitetin e saj”, shprehet Tony Freeth.
Instrumenti besohet të jetë dizenjuar dhe ndërtuar nga shkencëtarët grekë dhe daton në shekullin e parë para erës sonë. “Kemi rikrijuar atë çfarë mendojmë se si ka funksionuar ky mekanizëm. Është një paraqitje mbresëlënëse e kozmosit, ka planet e ndarë në unaza të veçanta dhe të gjitha janë pjesë e një mekanizimi”, shtoi profesori i Universitetit të Londrës.