Në prag të festave të fundvitit në rajonin e veriut por me shumë gjasa edhe në të gjithë Shqipërinë do të rinisin kontrollet dhe aksionet për energjinë elektrike.
Administratori i përgjithshëm i OSHEE Ardian Çela ka zhvilluar disa takime me radhë në rajonin e veriut. Nga sa bëhet e ditur tashmë në të gjitha zonat, qytete, njësi administrative ku përfshihen fshatrat grupet e task-frocës të udhëhequr nga OSHEE do të zhvillojnë aksione për të parë se nëse ka debitore dhe për rilidhjet e energjisë elektrike që cilësohen si të paligjshme. Në vetëm pak muaj me qindra persona u arrestuan në të gjithë Shqipërinë, dhjetra prej tyre edhe në Shkodër. Këto kontrolle të rrepta rikthehen përsëri çka do të thotë se priten sërish arrestime për ata që kanë rilidhur energjinë elektrike apo ata që furnizohen përmes linjave të dyta. Burime pranë OSHEE në Tiranë bëjnë me dije se administratori Ardian Çela fillimisht është ndalur në qytetin e Lezhës teksa ka zhvilluar një mbledhje me krerët më të lartë aty dhe personat përgjegjës. Më pas nga Lezha, kreu i OSHEE ka mbërritur tek zyrat e njësisë Shkodër duke takuar drejtorin rajonal Ersi Sulejmani por edhe drejtorin e njësisë Shkodër Xhevat Mollca si dhe drejtues të tjerë. Edhe me drejtuesit e Shkodrës administratori Çela ka qenë i qartë dhe i prerë në qëndrimin e tij duke kërkuar që të rinisin aksionet dhe të mos ketë aspak tolerime për askend. Në rast se evidentohen raste të tolerimit atëherë sipas shefit të OSHEE do të jetë drejtuesit apo personat përgjegjës që do të ndëshkohen. Administratori Çela është takuar edhe me drejtorin rajonal të policisë së Shkodrës Alban Çela duke kërkuar mbështetjen e forcave të policisë në aksionet e OSHEE për të shmangur tragjedi të ndryshme siç ishte vrasja e një elektriçisti në njësinë Ana e Malit. Drejtori i policisë ka dhënë mbështetjen e tij dhe tashmë qytetarët duhet të kujdesen për energjinë elektrike që këtë festat e fundvitit të mos i kalojnë në qelitë e burgut dhe në errësirë.