Kryesocialisti Edi Rama ka udhëtuar ditën e djeshme drejt New York-ut për të rinisur turin e ndërprerë “Krenar për Shqipërinë”.
Takimi me shqiptarët që jetojnë në SHBA do të zhvillohet paraditen e së shtunës, në orën 11:00 me orën lokale.
Ndërkaq një banderolë e stërmadhe ku njoftohet takimi është shpërfaqur në një nga zonat kryesore në Manhatan.
“Në New York për takimin me shqiptarët e Amerikës; krenar për Shqipërinë që sot përflitet me fjalë të mira kudo në botë dhe plotësisht i vetëdijshëm për sfidat e jashtëzakonshme të rrugës drejt majës së 2030, kur me fuqinë e bashkimit tonë përtej gardhit të sherrnajës së oborrit politiko-mediatik të Tiranës, do të ngremë flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian.
Pasnesër, e shtunë 26 tetor, në të parin takim pas vendosjes të së drejtës së çdo shqiptari jashtë Shqipërisë, për të zgjedhur drejtimin dhe udhëheqjen e vendit për katër vitet e ardhshme duke votuar nga aty ku banon jashtë atdheu”- shkruan Rama.
Më pas është konfirmuar dhe një rikthim i Ramës si pjesë e turit edhe në Greqi, por kësaj here në datën 3 Nëntor do të jetë në Selanik.
Ndryshe nga takimet e Majit në Athinë dhe Milano formati do të jetë më i ngushtë, takimet do të zhvillohen në holle hotelesh dhe jo në stadium.
Në New York pritet të marrin pjesë rreth 2 mijë shqiptarë dhe nuk do mungojnë këngëtarët në nisje të takimit. Fjalimet e konfirmuara janë ato të drejtuesit politik të diasporës Taulant Balla dhe kryeministrit.