Një fotomomantazh i kandidatit favorit për zgjedhjet Presidenciale në Francë, Emmanuel Macron, ka ngjallur edhe një herë polemika rreth tij.
Fotomontazhi e shfaq Macron gjysëm të zhveshur në kopertinën e revistës së LGBT, “Garcon Magazine”. Fotoja vjen në një moment vendimtar të fushatës presidenciale dhe mbështetësit e kandidatit të “En Marche” janë të shqetësuar për rikthimin e lajmeve të rreme lidhur me dyshimet për homoseksualitetin e tij. Edhe pse është e pamundur të mos vihet re se ajo është një fotomontazh, titulli që shoqëron imazhin “Coming Out” ka të ngjarë të mashtrojë dikë.
Më 7 shkurt, Macron mohoi publikisht thashethemet për një marrëdhënie me Presidentin e Radio Francës, Mathieu Gallet. Në Twitter, mbështetësit e Macron e denoncuan lajmin si “të rremë”, pas të cilit sipas tyre fshiheshin “fashistët” ose “Fronti Kombëtar”. “Ndonjëherë ju duhet të guxoni”, tha Christophe Soret, kryeredaktor i revistës. Kreu i komunikimit të “En Marche”, Sibeth Ndiaye, u mjaftua me një koment të shkurtër: “Imazhi është manipuluar shumë herë, ata qarkullojnë thashetheme.”