Kanë rinisur kërkimet për gjetjen e trupit të Jan Prengës, i cili u mor peng dhe dyshohet se u vra më 17 janar të këtij viti në Kamës. Kërkimet kanë nisur nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, me ndihmën e FNSH-së, me një qen gjurmues. Kërkimet janë përqendruar në fshatin Pjezë në Shijak. Për vrasjen e Jan Prengës deri tani në pranga kanë rënë 6 persona.

Hetuesit kanë arritur në përfundimin se Jan Prenga që u rrëmbye pranë banesës së tij në Kamëz, më 17 Janar të këtij viti, u çua në një kompleks në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit. Sipas fotove nga kamerat e sigurisë që disponon policia, Prenga mendohet se u dhunua derisa humbi jetën.

Asgjësimi i trupit dyshohet se u bë në fshatin Pjezë, shumë pranë kompleksit. Për ngjarjen janë arrestuar Bajram Hajri, Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri, Festim Bixhdili dhe Ardian Doçaj. Sipas hetuesve, familja Prenga zhvilloi edhe negociatat me rrëmbyesit dhe një pjesë e kokainës u dorëzua, por ndërkohë Jan Prenga kishte humbur jetën.

Pak muaj pas pengmarrjes dhe vrasjes të Jan Prengës në zonën e Shijakut, si hakmarrje ndaj vëllait të tij për prishjen e pazareve të drogës në Britani siç dyshohet, fillimisht u arrestua një prej rrëmbyesve të dyshuar. Edhe pas kërkimeve menjëherë pas ngjarjes në zonën e Shijakut, trupi i tij nuk u gjet duke bërë që policia të nis edhe njëherë kërkimet.

49-vjeçari ishte babai i 5 fëmijëve dhe ka 4 vëllëzër, njëri prej të cilëve dyshohet se është bërë shkak edhe për pengmarrjen e tij. Vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga dyshohet se i bllokoi një dërgesë kokaine një tjetër shqiptari, Dritan Rexhepaj i cili ndodhet në burg në Ekuador.

Ky i fundit pasi Astrit Prenga i bllokoi 300 kg kokainë dyshohet se urdhëroi në Shqipëri që të merrej peng vëllai i tij i madh në formë presioni për të liruar ngarkesën por gjatë pengmarrjes Jan Prenga ndërroi jetë. Për këtë ngjarje në policinë e Tiranës dëshmoi kreu i pajtimit të gjaqeve në Shkodër Nikollë Shullani si ndërmjetësues për lirimin e pengut. Tashmë hetimet për këtë ngjarje të rëndë vazhdojnë nga policia dhe prokuroria për zbardhjen e plotë dhe gjetjen e trupit të pajetë.

Artikulli paraprakSHKODËR, QYTETARËT PRO DHE KUNDËR MASAVE TË REJA
Artikulli tjetërVRASJA E EFEKTIVIT, VJEHRRI I TË DYSHUARIT: ISHTE TEK UNË