Gjermania dhe Brazili janë skuadrat që do të diskutojnë finalen e turneut të futbollit në Lojërat Olimpike, një ndeshje kjo që të kujton gjysmëfinalen e Botërorit të vitit 2014.
Skuadra gjermane mundi Nigerinë në gjysmëfinale me rezultatin 2-0. Klosterman i dha avantazhin Gjermanisë që në minutën e 9 të takimit, ndërkohë që në minutat e fundit ajo gjeti edhe golin e dytë me Nils Petersen, duke vulosur kalimin për në finale. Ndërsa Brazili shënoi një fitore tenistike 6-0 në ndeshjen me Hondurasin. Skuadra amerikano-latine e gjeti golin e parë pas 15 sekondash me Neymar, i cili hyn në historinë e Lojërave Olimpike për golin më të shpejtë. Nuk vonoi shumë dhe Brazili shënoi edhe 2 gola të tjerë me Gabriel Jesus. Samba braziliane e futbollit vijoi me golin e Marquinhos, i cili e çoi rezultatin në 4-0, ndërsa Luan shënoi të pestin. Llogaritë e sfidës i mbylli ai që i hapi ato, Neymar, i cili në minutat e fundit shënoi golin e 6 për Brazilin me anë të një 11-metërshi.