Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur mbrëmjen e sotme për problematikat e zgjedhjeve për kryetar të degëve në vend.
Berisha tha se shumë shpejt Grupi i Rithemelimit do të kontraktojë një kompani për t’i udhëzuar në zgjedhje. Berisha u kërkoi ndjesë demokratëve që kanë pasur problematika.
“Pati probleme në ndonjë rast, përshembull sot në një rreth kandidatët kërkuan që asnjë përveç atyre që janë në listë të mos votojë, të paktën 100 apo 200 mund të kenë ngelur. Këto janë vendime të rivalëve dhe unë u kërkoj ndjesë. Të gjithë këto do të marrin fund pas kontraktimit të një kompanie që do të na përcaktojë rregullat e primareve,”– tha Berisha.
Berisha u është përgjigjur deputetëve që kërkuan anulimin e Kuvendit të paralajmëruar nga Rithemelimi.
“Vijmë tek deputetët, shumica dërrmuese nuk kanë paraqitur kërkesë të tillë, vetëm një pjesë e tyre, cila ka qenë platforma jonë? Ne ripërsërisim çdo proces. Ky proces ka nisur në dhjetor, asnjë tagër, asnjë kompetent nuk e anulon një proces statutor, shko bëje po deshe. Një proces jostatutor e anulon. Alternativa jonë ishte të krijonin auditin, të verifikojmë kudo që janë shkelur dhe të anulojmë çdo proces zgjedhor që nuk është ndjekur statuti dhe të vijojmë përpara. E them me sinqeritet absolut. Nuk mund të anulosh një proces të ryer mbi statutin, nuk mund të ndodhë ajo. Do të ishte pasnesër konferenca, u shty. Shtyrja nuk është antistatuore. Anulimi, po. Disa deputetë kërkuan anulim dhe kjo gjë nuk mund të bëhej. Deputetët janë institucion themelor i një partie, por në të gjitha partitë politike të kontinentit, përveç Britanisë së Madhe, nuk janë ekzekutivi i partisë, janë krahu legjislativ. Nuk mund të marrin funksione ekzekutive,”- tha Berisha.