Pasi kaloi gati një vit e gjysëm pa drejtues të zgjedhur, pas dorëheqjes së Arben Ndojit në nëntor 2022, Rithemelimi i Partisë Demokratike në Lezhë do të shkojnë në zgjedhje për kreun e ri të kësaj force politike. Ndryshe nga çdo herë tjetër, në këtë garë janë përfshirë shumë kandidatë e madje edhe emra që më së shumti janë dëgjuar në Tiranë se në Lezhë. Ethet kanë nisur, ashtu si edhe fushata e tyre për të bindur anëtarsinë për votëbesim.
Nga 9 kandidatë që e nisën fillimisht këtë garë, duket se në listën përfundimtare të miratuar nga kryesia qëndrore kanë mbetur vetëm 6. Nga kandidimi janë tërhequr disa emra që mund ta bënin garën edhe më interesante.

Bledar Prendi, Salvador Kaçaj dhe Maksim Kola nuk do të përfshihen, kjo pasi angazhimi i tyre do të vijojë në grupet e punës që do të ngrihen pas zgjedhjeve. Në listën përfundimtare, për kreun e Rithemelimit në Lezhë do të garojnë Albert Rrusti, Alen Kola, Bardhok Ndreca, Gjin Gjoni, Paulin Marku dhe Roza Hila. Rikthimi në garë i Paulin Markut që e ka drejtuar më parë këtë force politike ashtu si edhe futja në listë e Gjin Gjonit, juristit të njohur, tregon për rëndësinë që do të marrin këto zgjedhje, ashtu si edhe përfshirja e ish Administratorit të Shenkollit Albert Rrusit, kreut te FRPD-së Alen Kola, të mjekes Roza Hila e anëtarit të kryesisë Bardhok Ndreca ka sjellë një risi dhe paparashikueshmëri të fituesit.

Megjithëse njëri do të jetë fituesi, garuesit në fakt po garojnë edhe për një elementë tjetër, demostrimit të popullaritetit të tyre tek demokratët e Rithemelimit.

Artikulli paraprakSHPALLEN FITUESIT E FESTIVALIT TË TEATRIT PËR TË RINJ
Artikulli tjetërNIS KAMPIONATI PRANVEROR I SHKOLLAVE