Grupi i Rithemelimit nuk do të marrë pjesë në Komisionin e Dezinformimit. Qëndrimi është bërë publik nga Gazment Bardhi, i cili në konferencë me gazetarët tha se Shqipëria ka probleme më të mëdha që duhet të jenë edhe prioritet për deputetët. Bardhi tha se “i urojnë suksese komisionit të dezinformimit”.

“I urojmë shumë suksese komisionit të dezinformimit, unë gjykoj që Shqipëria ka probleme shumë më të thella që parlamenti duhet të merret, që duhet të përbëjnë prioritet të deputetëve, kështu që i urojmë shumë suksese, unë e kuptoj që Rama do të emërojë deputetë të caktuar të grupit të tij parlamentar, i urojmë suksese në punën e tyre”, u shpreh Bardhi.

Sa i takon përbërjes së komisionit, 6 anëtarë janë të mazhorancës, ndërsa kjo e fundit drejtimin ia ka besuar Erion Braçes. 5 anëtarë janë të opozitës, ku Bardhi sot lajmëroi që s’do të jenë pjesë. Ngritja e Komisionit të Dezinformimit erdhi si propozim i socialistëve me firmat e 7 deputetëve, kërkesë që sipas tyre ndjek të njëjtën linjë me vendet perëndimore dhe parlamentin evropian në luftën kundër dezinformimin dhe ndërhyrjen nga vendet e huaja. Propozimi i mazhorancës u pa me skepticizëm nga opozita, të cilët ndonëse në parim ishin dakord, e cilësuan si një nismë me mungesë transparence nga ana e socialistëve. Kohën Rithemelimi e kërkoi që të hiqej çdo dilemë nëse komisioni do të kishte hapësira për ndërhyrje apo jo në lirinë e medias. Komisioni i Posaçëm për Dezinformim do të ketë një afat 1-vjeçar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Anëtarët e propozuar nga PS
Erion Braçe (kryetar komisioni)
Bledi Çuçi
Mimi Kodheli
Pandeli Majko
Enslemvera Zake
Etilda Gjonaj

Artikulli paraprakBANKA E SHQIPËRISË NUK NDRYSHON NORMËN BAZË TË INTERESIT, SEJKO: INFLACIONI KA VIJUAR TË BJERË
Artikulli tjetërVJOSA OSMANI TAKIM ME GEORGE W. BUSH, PRESIDENTJA: MBETET MIK DHE MBËSHTETËS