Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2019 në raportin e fundit të “Pasqyrës Ekonomike Globale, tetor 2019”.

Tashmë Fondi pret që ekonomia të rritet me 3%, nga 3.7% që ishte pritshmëria në raportin e prillit. Ky është institucioni i dytë, pas Bankës Botërore që ka rishikuar në rënie pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë. Pak ditë më parë Banka Botërore e çoi treguesin e saj në 2.9%, nga 3.6% që e kishte më parë.

Rishikimi në ulje nga të dy institucionet, u bë pasi të dhënat e INSTAT për 6 muajt e parë të vitit treguan se rritja reale u përgjysmua, nga mbi 4% në gjashtëmujorin e parë 2018, në 2.2-2.3% në janar-qershor 2019, si rrjedhojë e efektit të rënies së prodhimit të energjisë, tkurrjes së ndërtimit nga mbarimi i projektit TAP dhe mbylljes së aktivitetit të lojërave të fatit.

Megjithatë, në afat të mesëm FMN është më optimiste sesa Banka Botërore, duke parashikuar një rritje prej 4% në 2020 dhe 2024, nga 3.5% që është pritshmëria e Bankës Botërore.

Artikulli paraprakSIGURIMET SHOQËRORE/ PAGESA E KONTRIBUTEVE, SI NDIKON NIVELI I PAGËS TEK PËRFITIMI
Artikulli tjetërDEPOZITAT/ BANKA E SHQIPËRISË: KURSIMET E INDIVIDËVE, 9.3 MILIARDË EURO