Pas miratimit në komisionin e ligjeve projektligji, për rivlerësimin e pasurive te paluajtshme ka kaluar me shumicë votash edhe ne komisionin e Ekonomisë por me propozim të Dhomës së Tregtisë, rivlerësimi mund të kryhet edhe për pronat e pa hipotekuara.
Prezantimi u bë nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili theksoi se rivlerësimi i banesave do të ndikojë në përmirësimin e klimës së biznesit, pasi do të kemi një vlerë reale të pasurive të paluajtshme Ahmetaj: Ne kemi menduar që ta avancojmë këtë instrument qoftë për qytetarët, qoftë për personat juridik. Në të njëjtën kohë, është edhe një përpjekje për të dhënë një mundësi që shumë qytetarë që nuk mundën ta bënin këtë shumë vite më parë, në një instrument të ngjashëm, ta ripërsërisin edhe për një arsye tjetër; shtrëngesa e kontrollit fiskal dhe e dyta, metodologjia e ardhshme për vendosjen e taksës mbi pronën me bazë metodologjinë e vlerës, sigurisht na çojnë në këtë drejtim. Ndonëse deklaruan votën pro, përfaqësuesit e opozitës u shprehen skeptik për kete projektligj. Ish-ministri Rivan Bode tha se amnistia duhet te ishte me e gjerë. Bode: Duket sikur qeveria gjithë këtë proces e bën sepse ka ndërmend të vendosi një taksë mbi banesat, pra nga një taksë që bazohet mbi metër katror dhe sipas vendndodhjes, të kalojmë në një taksë që bazohet mbi vlerën e shtëpisë. Këtë përmendi ministri këtu kur na prezantoi ligjin dhe mendoj që bëri gabim. Replika me ministrin Ahmetaj patën edhe deputetë të tjerë të opozitës, të cilët thanë se ky projektligj nuk është për qytetaret dhe është fillimi i fushatës elektorale. Sherefedin Shehu, deputet PD: Jeni qeveri e uljes së taksave, sot keni rastin ta dëshmoni. Ne e aplikuam 1%, bëjeni 0.5% dhe jo 2% sa e keni sjellë. Edmond Spaho, deputet PD: Nëse qeveria është e interesuar që të përfitojnë qytetarët, së paku të kthejë mbrapsht veprimin që bëri dy vjet më parë kur rriti tatimin mbi pasuritë e paluajtshme nga 10% në 15%. Shqipëria sot është vendi më i varfër në Evropë dhe që taton më shumë se çdo vend tjetër pasurinë e paluajtshme. Asnjë vend në Evropë nuk e ka. Më pas, më shumicë votash, anëtarët e komisionit të ekonomisë miratuan edhe projektligjin që parashikon zgjatjen edhe me 10 vjet të kontratës të koncesionit Albckrom me investime shtesë rreth 25 milion euro. Dy projektligjet pritet të kalojnë të hënën në Parlament.
/Ora News/