Mesfushori spanjoll i Manchester Cityt, Rodrigo Hernandez Cascante (28 vjeç) i njohur shkurt si Rodri fitoi ‘Topin e Artë’ për vitin 2024, trofeun më të rëndësishëm individual për futbollistët.

Ai la pas dy lojtarët e Real Madrid, Vinicius dhe Bellingham. Rodri është spanjolli i parë që e fiton këtë çmim pas vitit të largët 1960, që asokohe ngrihej nga Luis Suarez.

Paçka se ceremonia e Parisit (e 68 në histori) nisi në orën 20:45 të së hënës, saga dhe pakënaqësitë zënë fill drekën e djeshme. Në Madrid mbërriti lajmi se Vinicius nuk ishte më i votuari nga trajnerët e kombëtarve, kapitenët dhe gazetarët nga mbarë bota, çka bëri që klubi i Real Madrid të merrte vendimin për të bojkotuar ceremoninë duke anuluar fluturimin për në Francë dhe akuzuar organizatorët, pasi prisnin që sulmuesi i tyre Vinicius të ngrinte trofeun.

Tej kësaj, Real Madrid si fituesi në fuqi i La Ligas dhe Champions League u shpall ekipi më i mirë i sezonit që lamë pas dhe Carlo Ancelotti si ‘Trajneri më i mirë’. Ndërkohë Barça për femra ishte ekipi më i mirë, ndërsa Lamine Yamal talenti i sezonit. Për t’u përmenduar edhe Granit Xhaka, shqiptari i Bayer Leverkusen që zë vendin e 16-të mes më të mirëve në botë.

Rodri fiton Topin e Artë

Mesfushori i Manchester Cityt mori çmimin më të rëndësishëm në aspektin individual, ndërsa u ngjit në skenë me paterica për shkak të dëmtimit. Lojtari spanjoll ishte vendimtar me kombëtaren e tij në Europian, që kulmoi me fitimin e trofeut, por edhe një pikë kyçe te City, në fitimin e Premier League.

Në garën për “Topin e Artë”, mesfushori mposhti sulmuesin e Real Madrid, Vinicius Junior, i cili u rendit i dyti. Trofeun e “Topit të Artë” e dha George Ëeah, i cili e ka fituar atë në vitin 1995.

“Trajneri i vitit”, Carlo Ancelotti

Carlo Ancelotti është zgjedhur si trajneri më i mirë i vitit. Italiani fitoi La Ligën me Real Madrid, por edhe Champions League.

“Trajnerja e vitit”, Emma Hayes

Emma Hayes, zgjidhet trajnerja më e mirë e vitit në futbollin e femrave. Timonierja amerikane e Chelseat, ka marrë çmimin e veçantë.

‘’Portieri i vitit’’, Emiliano Martinez

Emiliano Martinez, është zgjedhur si portieri më i mirë i vitit për herë të dytë radhazi. Gardiani argjentinas fitoi Trofeun “Yashin”.

Portieri i Aston Villa-s dhe Argjentinës zgjidhet kështu dy herë radhazi si portieri më i mirë i vitit. Lojtari ka qenë vendimtar për kombëtaren e tij në Kupën e Amerikës, por edhe në Premier League.

Kane dhe Mbappe fitojnë Trofeun “Gerd Muller”

Harry Kane dhe Kylian Mbappe janë fituesit e Trofeut “Gerd Muller”. Ky trofe shkon për dy sulmuesit më të mirë të vitit.

Të dy lojtarët kishin një vit shumë të suksesshëm, sa i përket golave të shënuar, pasi tundën rrjetën plot 52 herë secili.

“Talenti i vitit”, Lamine Yamal

Lamine Yamal (17 vjeç) është zgjedhur “Talenti i vitit”. Nuk kishte dyshime për këtë, duke parë sukseset e arritura nga ylli i Barcelonës.

Artikulli paraprakPD SOT PROTESTË, POLICIA: MOS BLLOKONI RRUGËT, VEPËR PENALE! BARDHI: ORGANIZIM I LIGJSHËM, MERRNI MASA
Artikulli tjetërKUSHTE TË QËNDRUESHME ATMOSFERIKE, MJEGULLINË LOKALE, JA SI DO TË JETË MOTI SOT