Mijëra njerëz kanë dalë nëpër rrugët e Romës për të protestuar mbi gjendjen mjerane të kryeqytetit italian.

Demonstruesit u mblodhën përpara Bashkisë së qytetit, për të denoncuar kryebashkiaken Virginia Raggi se ka dështuar të adresojë probleme të tilla si mosmbledhja e mbeturinave apo gropat nëpër rrugë.

Raggi mori drejtimin e Romës në vitin 2016 nën siglën e “Lëvizjes 5 yjet”, e cila formoi një qeveri kombëtare koalicioni në fillim të këtij viti me “Lega Nord”-in. Por, popullariteti i saj ka rënë ndjeshëm, që kur dështoi të adresonte çështjen e borxheve të qytetit.

Demonstruesit u mblodhën duke valëvitur rrjetën plastike portokalli, të cilën autoritetet e përdorin zakonisht për të rrethuar zonat e rrugëve të dëmtuara, kalimeve të rrezikshme apo vendet ku kanë rënë pemë.

Probleme të tjera me të cilat përballet kryeqendra italiane janë minjtë dhe derrat e egër që kanë pushtuar rrugët, por edhe shërbimet skandaloze të transportit, pasi vetëm këtë vit plot 20 autobusë janë raportuar të kenë marrë flakë.

Raggi mori detyrën e kryebashkiakut pas disa skandaleve korrupsioni që prishën imazhin publik të partive tradicionale, por tashmë edhe ajo vet po përballet me gjyqin, me akuzën e shpërdorimit të pushtetit për një të emëruar në administratën e saj.

Një vendim për këtë pritet më 10 nëntor, e nëse shpallet fajtore Raggi ka thënë se do të dorëhiqet, gjë që do të çonte në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Artikulli paraprakAKREPAT E ORËS 60 MINUTA MBRAPA
Artikulli tjetërAKSIDENTI, MAKINA ‘FLUTURON’ 50 METRA DHE BIE NË OBORR