Romela Begaj arriti një rezultat fantastik në kampionatin botëror të peshëngritjes, e cila mori medaljen e arit në stilin e shkëputjes dhe u shpall nënkampione bote, në dygarësh.
Ky ishte padyshim rezultati më i mirë i saj në një botëror dhe gjithashtu një rezultat historik për peshëngritjen shqiptare. Begaj i kaloi me sukses të tre provat në stilin e shkëputjes, me 103, 105 dhe 107 kg. Në ketë stil, Romela konkurroi fort me dy peshëngritëse kolumbiane, duke u rrëmbyer medaljen e arit.
Edhe në shtytje Romela bëri një garë të mirë me dy provat e para të realizuara me sukses, me 125 dhe 128 kg. Me provën e tretë Romela Begaj tentoi 131 kg, por nuk mundi të realizojë ngritjen. Në përfundim në dygarësh Romela Begaj arriti në 235 kg, duke u shpallur nënkampione e botës, rezultati më i mirë i saj në një botëror dhe padyshim rezultat historik për peshëngritjen shqiptare.
Krahas medaljeve, që janë një stimul mjaft i mirë moral, në aspektin sportiv, për Romelën vijnë edhe milionat. Kjo pasi me ligjin e ri për sportin, shtangistja shqiptare do të përfitojë rreth 150 milionë lekë të vjetra shpërblim. Në podium peshëngritësja shqiptare u ngjit bashkë me flamurin kuqezi.