Protesta e romëve dhe kërkesat e tyre për lejimin e lëvizjes me motorçikleta për të mbledhur metale për t’i shitur më pas për skrap ka bërë që drejtori i policisë vendore Vehbi Bushati të zhvillojë një takim me prefektin e qarkut Shkodër Çesk Millja.

Ndër të tjera gjatë atij takimi është diskutuar edhe për çështjen e komunitetit rom. Ka qenë një bisedë e gjatë e zhvilluar mes prefektit dhe drejtorit të policisë për të gjetur një zgjidhje për romët duke qenë se ndodhen në vështirësi ekonomike sepse prej një muaji mjetet e tyre janë bllokuar nga policia.

Në dalje pas këtij takimi drejtori i policisë Vehbi Bushati tha se është biseduar për të gjetur një zgjidhje ndërsa u shpreh qartë dhe prerë se motorçikletat nuk do lejohen më për romët siç kanë lëvizur deri tani.

Përpara këtij takimi romët protestuan përpara prefekturës së qarkut Shkodër duke kërkuar nga policia që të lejohen të lëvizin me mjetet që kanë dhe policia të mos i bllokojë.

Ata kanë protestuar edhe më përpara për këtë çështje dhe do vijojnë të protestojnë sepse siç shprehen nuk kanë rrugë tjetër për të mbajtur familjet e tyre.

Sipas burimeve pritet që drejtuesit e mjeteve të komunitetit rom të pajisen me leje drejtimi dhe për ta parashikohen masa lehtësuese në mënyrë që të lëvizin me dokumentacion përkatës.

 

Artikulli paraprak28 VITE NGA EKSODI I PARË I SHQIPTARËVE
Artikulli tjetërI KANË BLLOKUAR MOTORËT, ROMËT NË PROTESTË