11 familje janë bllokuar në fshatin Rragam të njësisë administrative Gur i Zi. Rruga që përdorej prej më shumë se 40 viteve mbi digën e liqenit të Vau Dejësit nuk është më e përdorshme.
Këta banorë prej një viti janë penguar të kalojnë aty ku historikisht kanë lëvizur. Prej një viti është bllokuar kalimi, ndërsa ata e kanë të pamundur kalimin për të shkuar në tokat e tyre.
Pavarësisht ankesave dhe protestave, këta banorë nuk kanë arritur të zgjidhin asgjë.
Ata prej një viti kanë shitur pjesën më të madhe të bagëtive, pasi në mungesë të rrugës nuk arrijnë t’i kalojnë në anën tjetër në kullota.
Fshati Rragam i njësisë administrative Gur i Zi është një ndër më të varfëritë e kësaj njësie. E vetmja mundësi që ata kishin ishte rruga e digës, ndërsa edhe atë ua hoqën.
Në këtë mënyrë i kanë lënë në mëshirë të fatit dhe mungesës së vëmendjes.