Është arrestuar në Rotterdam të Holandës një nga shqiptarët e dënuar për vrasjen e marokenit Said Waddoud, i masakruar më 12 janar 2015 në Torino. Rrahja e marokenit u krye para një kamere sigurie. Shkak i sherrit ishte aktiviteti i prostitucionit në rrugën Grosseto.

Policia kishte arritur të identifikonte personat përgjegjës të rrahjes së 24-vjeçarit, por shumë prej tyre ishin arratisur në Holandë. Policia holandeze, në bashkëpunim me atë italiane, arriti të gjente Bojken Zeqon, 30 vjeç, i arrestuar pas mandatit të nxjerrë për të, me akuzën e vrasjes së qëllimshme dhe grabitje. Në Rotterdarm ishin fshehur dhe u kapën edhe disa nga bashkëfajtorët e grupit që sulmoi marokenin dhe një shok të tijin natën e 12 janarit. Redion Rakipaj, 27 vjeç, e Naim Vargo, 35, u arrestuan në gusht 2016 gjatë një kontrolli të rëndomtë të policisë holandeze, e cila i pa në një lulishte me një qen të palidhur dhe, teksa kontrollonte dokumentet, kuptoi që bëhej fjalë për dy të kërkuar që mbanin dokumente false rumune.

Në pranga përfundoi edhe Izmir Krasniqi, 25 vjeç. Në shkallën e parë, Zeqo e bashkëpunëtorët e tij u dënuan me 30 vjet burg, por apeli dhe avokatët e tyre arritën të fitonin ulje të dënimit deri në 13 vjet. Në prill do të jetë seanza në Gjykatën e Kasacionit. Shqiptari i gjashtë, Klevis Gropa, u shfajësua nga akuza për vrasje.

Artikulli paraprakI DËNUAR ME BURG PËR JETË, KUSHTETUESJA E RRËZON FRROKUN, KËRKONTE RIGJYKIM
Artikulli tjetërTRITOLI MAKINËS SË BIZNESMENIT TË INERTEVE, PRANGOSET AUTORI