Kur ka filluar pastrimi i lagjeve pas 30 tornadove që goditën qytetin Mayfield të Kentucky, shumë të mbijetuar kanë rrëfyer tmerrin e tyre dhe thonë se janë me fat që janë gjallë.
Teksa priste që shtëpisë t’i ndërrohej kulmi, banorja Michelle Anderson ka thënë se teksa ishte strukur në një çosh të shtëpisë, po e priste vetëm vdekjen.
“Po i lutesha Zotit që të mos na vriste. Shtëpia shkundej dhe toka ushtonte”, ka thënë ai.
Banorja Stephanie Thomas ishte te shtëpia e nënës, e cila shpëtoi nga tornado. Disa shtëpi përreth ishin rrafsh me tokë.
“Është gjëja më e keqe që kam parë ndonjëherë. Nëna vazhdonte të më thoshte, ‘jam me fat, jam me fat’. Unë i thashë, ‘nënë ti nuk e di se sa me fat je’. Pastaj e mora dhe e solla këtu për të parë se nuk ka asgjë”, ka thënë ajo.
Lacedric Richardson, i cili punon në dyqan ushqimor, në të cilin disa persona vdiqën nga tornado, mori disa gjëra të dhuruara nga njerëzit e tjerë, me qëllim që të ndihmojë familjen.
Autoritetet në Kentucky kanë thënë se niveli i madh i dëmtimit ua ka pamundësuar që të vlerësojnë dëmet nga stuhitë.
Së paku 88 persona kanë humbur jetën nga tornadot e njëpasnjëshme në Kentucky, shtet në të cilin po vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit, por me pak shpresë.