Këto dy të moshuara, dy murgesha Stigmatine të përkushtuara ndaj besimit dhe Zotit janë dëshmi të gjalla të vuajtjeve të pafundme që edhe kleri përjetoi gjatë viteve të komunizmit. Motër Maria Karleta 94 vjeçe dhe motër Roza Kraja 90 vjeçe u bekuan nga Papa Françesku me këto dhurata të sjella nga Ati i Shenjtë posaçërisht për dy murgeshat shqiptare të cilat ishin pjesë e mizorive të regjimit monist.
Dhurata e Papa Françeskut iu dorëzua dy motrave Stigmatine gjatë meshës së shenjtë në përkujtim të 71 vjetorit të të lumes Maria Tuci ndërsa tregojnë si thuajse pjesën më të madhe të jetës e kaluan me vështirësi.
Dy motrat Stigmatine rrëfejnë edhe se për pak vite kanë njohur edhe Marie Tucin me të cilën kanë qenë në një shkollë dhe tregojnë bisedat përpara se ajo të vdiste në spital pas torturave që iu bënë gjatë qëndrimit në burg dhe fjalët e fundit të saj.
Motër Maria Karleta për vuajtjet që përjetoi dhe besnikërinë e saj për Jezusin u nderua nga Papa Françesku me titullin e lartë Urdhëri i Kryqit të Lartë pasi dëshmoi kalvarin e mundimshëm të jetës së saj para Atit të Shenjtë gjatë vizitës së tij në Shqipëri në 2014-ën.